f
s
f

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetuer adipis cing elit. Aenean commodo ligula eget dolor. Aenean massa. Cum sociis theme natoque

Follow Me
TOP
Image Alt
Monumentet e Kulturës

Kalaja e Bashtovës

Kalaja e Bashtovës

Kalaja e Bashtovës, në fshatin Vilë Bashtovë (Tabela 2) -Monument Kulture K.I

Kalaja e Bashtovës gjendet mbi një terren fushor, rreth 400 m në veri të lumit Shkumbin, 3km larg derdhjes së tij në detin Adriatik, në jug-përendim të fshatit Vilë-Bashtovë dhe i përket shek XV, ndërtuar nga venecianët. Ka marrë statusin monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1948.

Periudha e ndërtimit të kësaj kalaje prej venecianëve janë dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XV, fill pas rindërtimit të kalasë së Elbasanit nga osmanët, më 1466. Një ndër arsyet kryesore që i shtyu venecianët pikërisht në këtë kohë, ishte mundësia e shfrytëzimit nga osmanët e grykëderdhjes së Shkumbinit dhe përdorimi i lëndës së pasur drusore që ndodhej aty për ndërtimin e anijeve, dhe daljes në det të hapur, duke rrezikuar tregtinë dhe sigurinë e Republikës.

Pas vdekjes së Skënderbeut më 1468 mundësia për të mbrojtur këto dominime ishte e paktë. Bashtova ishte gjithashtu një skelë e rëndësishme për tregtimin e drithit dhe mallrave të ndryshme.

Pamja ka hyrja për tek Kalaja e Bashtovës.

Arkitektura dhe teknika e ndërtimit tregojnë për një kështjellë të ndërtuar me ngut, duke pasur parasysh një kursim sa më të madh të materialit të përdorur. Këtë e dëshmojnë muret e holla, por të kombinuara nga ana e brendshme me pilastra dhe harqe, kullat me kurriz të hapur, që janë më pak rezistente, si dhe katet e ulëta të kullave të caktuara vetëm për luftim.

Nga ana tjetër, është pasur parasysh që një kështjellë e vogël të ketë një fuqi sa më të madhe zjarri, duke krijuar tri nivele luftimi në muret dhe pesë tek kullat. Ndryshe nga fortifikimet e tjera veneciane, të ndërtuara gjatë fundit të shek. XIV dhe fillimit të shek. XV, si kullat e rrumbullakta në Durrës, kështjella e Butrintit, dhe fortifikimet në Shkodër, këtu nuk është patur parasysh kriteri estetik. Gjithçka i shërben vetëm mbrojtjes dhe luftimit.

Kalaja e Bashtovës është një nga fortifikimet e fundit veneciane që u ndërtuan për t’i rezistuar pushtimit osman. Ka një planimetri drejtkëndëshe, me përmasa 60 x 90 m. Në të katër qoshet dhe në mesin e çdo muri ka nga një kullë, me përjashtim të murit perëndimor që i takon një periudhe të dytë ndërtimi. Muret kanë një gjerësi prej 1 m. Midis gurëve ranorë dhe konglomerat në forma të çrregullta janë futur aty-këtu copa tullash dhe tjegullash. Në ndonjë rast nuk mungojnë edhe fragmente arkitektonike të periudhës bizantine, si pjesë kolonash, bazamente dhe kapitele të përdorura në vend të gurëve të zakonshëm.

Pamja nga lindja e Kalasë së Bashtovës.

Menjëherë pas pushtimit, osmanët e vlerësuan pozitën e kësaj kalaje dhe vendosën atje një garnizon të përhershëm. Ata kryen disa punime plotësuese, si kthimi i disa kateve të kullave në kthina banimi për rojet dhe ndërtimi i një xhamie mbi kullën e hyrjes kryesore, punime qe u kryen para vitit 1521. Akoma në shek. XVII, Bashtova vazhdonte te ishte nje kështjellë garnizoni. Pas kësaj periudhe u rindërtua muri perëndimor qe ishte rrëzuar si pasojë e vërshimit të lumit Shkumbin.

Bashtova vazhdoi të luaj rol të rëndësishëm si një skelë tregëtare edhe pas pushtimit prej osmanëve.

Pamja e kullës veriore të Kalasë së Bashtovës.
Planimetria e Kalasë së Bashtovës.

Udhëtari i famshëm Evlija Çelebiu gjatë vizitës së tij në Shqipëri, për zonën në fjalë shkruan se vendasit merreshin me peshkim dhe tregëti me frëngj (të huaj, latinë, europianët). Nga mesi i shek. XVIII, Bashtova ishte një skelë nën pushtetin e Mehmet Pashë Bushatlliut, sundimtarit të pashallëkut të Shkodrës.

Më vonë i biri, Kara Mahmut Pasha luftoi gjithashtu për mënjanimin e Venedikasve nga tregëtia e drithit në Bashtovë e Vlorë, duke e lënë në dorë të Ulqinakëve. Tregëtia venedikase kufizohej prej çmimit dhe sasisë së drithit që caktohej prej shqiptarëve. Për t’i dhënë një hov më të madh tregëtisë e që të rriste të ardhurat, duke ruajtur privilegjet e tregëtarëve vendas, Kara Mahmuti në limanet e Myzeqesë, përveç Durrësit dhe Kavajës, në vitin 1780, shpalli dhe Bashtovën si liman të lirë. Ky vendim tregon se tregëtia me të huajt kishte rëndësi për Bashtovën si skelë e magazinë për tregëtinë e drithit.

Kalaja e Bashtovës ka luajtur për disa shekuj një rol kryesor në zonë si qendër dhe port i rëndësishëm tregëtar, doganë ku nxirreshin të ardhura të mëdha si dhe një ndërtim ushtarak me karakter mbrojtës e kontrollues.

Ky rol vazhdon edhe në ditët e sotme, duke qenë se kalaja ka potencialin më të madh si atraksion turistik, dhe aktualisht është më i njohuri dhe i spikaturi i zonës.
Ndihmesë të madhe për këtë qëllim po japin ndërhyrjet restauruese, planet e zhvillimit dhe të promovimit turistik zbatuar falë fondeve të alokuara nga projekti EU4Culture, koordinuar nga zyra e UNOPS-it në Shqipëri.

You don't have permission to register