Kisha e Shën Paraskevisë
Fshati Çetë, Kavajë -Monument Kulture K.I
Kisha e “Shën Paraskevisë” gjendet mbi një kodër në lindje të Kavajës. Kisha gjendet mes kurorave me ullishte të kodrave të Çetës. Kjo kishë për vlerat që mbart është shpallur monument kulture në vitin 1963. Kisha përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Në dyshemenë e kishës gjendet e shtruar me gurë një figurë dielli në formë rrethi. Kisha e “Shën Paraskevisë” është e ndërtuar sipas stilit romako-gotik.
Në faqen e brendshme të murit verior gjenden dy nike, të cilat mbulohen me një hark të ulët. Hyrja për në kishë bëhet nga muri perëndimor. Në anën lindore të kishës kemi apsidën drejtkëndëshe. Muret e apsidës janë ndërtuar me atë teknikë si muret e tjerë, por janë më të skuadruar. Altari ndahej nga naosi me anën e një ikonostasi të drunjtë.
Tryeza e Shenjtë është e ndërtuar prej gurësh të lidhur me llaç. Kisha mbulohej nga një çati druri. Mendohet se kisha është ndërtuar rreth shekullit XIII. Mjeshtrit që kanë punuar për ndërtimin e saj duket se nuk e njihnin mirë këtë lloj arkitekture të ndërtimit.18 Për ndërtimin e kishës në popull ekzistojë gojëdhëna të ndryshme.
Dikush thotë se qenë tre kalorës të kryqëzatave, të cilët përshkonin udhën Egnatia drejt Kostandinopojës dhe kaluan natën në kodrën e fshatit Çetë. Natën kishin parë të tre nga një vegim që të mos niseshin për udhë nëse nuk do të ndërtonin një kishë aty ku kaluan natën. Të nesërmen në mëngjes i rrëfyen njëri tjetrit dhe ndërtuan kishën e “Shën e Paraskevisë”.
Një gojëdhënë tjetër thotë se një vajzë e re, iu lut të atit ti ndërtonte një kishë, sepse kishte vendosur ti përkushtohej Perëndisë, duke u shërbyer njerëzve në nevojë. Sipas Theofan Popës një gojëdhënë thotë se ktitorët e kishës qenë disa tregtarë me origjinë bullgare.
Këtë fakt e vërteton mishkrimi që gjendet i gdhendur në një pllakë guri mbi portën perëndimore të kishës: “Jan Milio, konsull dhe Gjika dhe Ruso dhe Petro, vëllezërit e tij, viti 1690, korrik 15”.
Ky mbishkrim vërteton se kisha e “Shën e Paraskevisë” ka qenë metoq i Patriarkanës së Ohrit dhe është rindërtuar prej saj në vitin 1690 prej konsullit të Francës, Jan Milio dhe vëllezërve të tij. Afresket e kishës janë realizuar nga vëllezërit Zografi ndërsa 16 ikonat e ikonostasit të kishës janë punuar në vitin 1767 prej Kostandin Shpatarakut. Në ikonën e madhe të Krishtit që gjendet në ikonostasin e kishës është shkruar: “Dora e jerodhiakon Kostandinit, nga Shpati, viti prej Krishtit 1767”. Në këtë kishë janë bërë shumë shërime, madje edhe në vitet e ndalimit të fesë, njerëzit vinin fshehurazi dhe në shenjë shprestarie ndiznin qirinj.
Kjo kishë që i rezistoi shekujve, u dogj nga pakujdesia e dikujt. Flakët dëmtuar çatinë e kishës dhe afresket që qenë pikturuar nëpër muret anësorë. Kanë shpëtuar vetëm afresket që gjenden në altar, por si për ironi të fatit ikonostasi me gjithë ikonat e pikturuara nga Kostandin Shpataraku u zhduk nga kisha para disa vitesh.